Historiku

ASOCIACIONI I PSIKIATËRVE TË KOSOVËS  (APK)

është shoqatë joqeveritare profesionale, e themeluar në maj të vitit 2003 në qytetin e Ferizajt. Iniciues i themelimit dhe kryetar i parë i organizatës ishte Prof. dr. Jusuf Telaku.

Kjo organizatë më herët i ka realizuar aktivitetet e saj në kuadër të Shoqatës së Neuropsikiatërve të Kosovës, e cila ka funksionuar që nga tetori i vitit 1993. Kjo e fundit, përmes punës vullnetare, ka pasur një rol shumë të rëndësishëm në mobilizimin e profesionistëve dhe organizimin e shërbimeve neuropsikiatrike, me qëllim që t’u ofrohet ndihmë pacientëve shqiptarë në kohët e vështira, gjatë okupimit serb.

Më vonë, si pasojë e zhvillimeve bashkëkohore dhe ndarjes së Neurologjisë dhe Psikiatrisë – si dy degë të veçanta, u vlerësua i nevojshëm formimi i një shoqate kryesisht për profesionistët në fushën e Psikiatrisë.

Synimi kryesor i APK-së, që në fillimet e funksionimit të saj, ishte përmirësimi i shërbimeve të Shëndetit mendor në Kosovë dhe sensibilizimi i gjithanshëm për rëndësinë e këtij lëmi në vendin tonë.

Që nga themelimi i saj, APK-ja ka ndikuar shumë në zhvillimet më të rëndësishme në fushën e psikiatrisë. Ajo ka pasur një rol kyç në ndryshimin e sistemit të trajtimit të të sëmurëve psikiatrikë në Kosovë, duke kaluar prej mënyrës së trajtimit azil në trajtimin në komunitet. Një hap i  madh në këtë drejtim ka qenë hapja e Shtëpive të Shëndetit mendor dhe themelimi i Shtëpive Integruese. Një iniciativë tjetër e rëndësishme e APK-së, në krye me Prof. dr. Jusuf Telakun, ka qenë zgjerimi dhe bashkimi i të gjithë profesionistëve të Shëndetit mendor në hapësirat shqiptare, që, si rezultat, pati krijimin dhe themelimin e Lidhjes së Psikiatrisë Shqiptare (LPSH). Ndërkaq, në fushën e zhvillimit profesional të profesionistëve të Shëndetit mendor, APK-ja ka arritur që të sigurojë mjete dhe t’u ofrojë mundësinë të gjithë punëtorëve të Shëndetit mendor në Kosovë, të freskojnë dhe avancojnë dijen e tyre përmes programit të quajtur Edukimi i Vazhdueshëm Mjekësor (EVM). APK-ja ka iniciuar edhe krijimin e Fjalorit terminologjik psikiatriko-psikologjik, por, në mungesë të mjeteve të mjaftueshme për angazhimin e profesionistëve, ka mbetur pa u realizuar.

Konferenca e parë e APK-së, pas themelimit të saj, është mbajtur më 14 – 15 maj 2004, me temën: “Shëndeti mendor në komunitet dhe lufta”. APK ka mbajtur një takim tjetër më 29 maj 2005, ndërsa më 18-19 nëntor 2005, me iniciativë të APK-së, u mbajt Kuvendi i Parë i Psikiatërve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë në Strugë, në të cilin u themelua Lidhja Shqiptare e Psikiatrisë. Pas themelimit të LPSH-së, shpeshherë aktivitetet e APK-së dhe LPSH-së janë shkrirë në një. Më 13 maj 2006, APK mban një takim tjetër në Banjën e Kllokotit. Kuvendi i parë zgjedhor i APK-së mbahet më 15 prill të viti 2007, në qytetin e Tetovës, në të cilën rizgjidhet kryetar Prof. dr. Jusuf Telaku, ndërsa më 16 nëntor 2007 mbahet takimi i radhës i APK-së në Malishevë.

Më 17 maj 2011, në Prishtinë, mbahet Kuvendi i Dytë Zgjedhor i APK-së, në të cilën u zgjodh kryetari i ri, Dr. Jusuf Ulaj.

Më 18 Nëntor 2012, në Prevallë, u mbajte seminari një ditor i anëtarësisë ku u diskutuan zhvillimet në fushën e EVM dhe prezantimet profesionale.

Më 17 Nëntor 2013,  në Istog, u mbajtë takimi i rregulltë vjetor i APK-së ku kishim dy prezantime profesionale dhe zgjedhjen e Sekretarit të APK nga kuvendi I APK-së.

Në kuvendin e vitit 2013 është zgjedhur si sekretar Dr.Shpend Haxhibeqiri.

Më datën 26.04.2015 është zgjedh Bordi i ri i AKP-së ne krye me Dr.mr.Shukrije Statovci dhe me datën 20.10.2019 është kuvendi i ri zgjedhor.

Në vitin 2018-19 janë shënuar ditët e shëndetit mendor në Kosovë, nën patronatin e APK-së.