Për ne

Intervista me Prof. dr. sci. Jusuf Telaku-n

Prof. dr. Jusuf Telaku ishte nismëtari i themelimit të APK-së dhe kryetar i parë i saj.  Aktivitetet për organizimin e profesionistëve të Shëndetit mendor dhe angazhimet e tij në përmirësimin e këtyre shërbimeve, shtrihen që nga vitet ‘90-të.

Seksioni i Neurologëve dhe Psikiatërve te Kosovës

Prof. Telaku ka qenë edhe njëri ndër themeluesit e Shoqatës së Neurologëve dhe Psikiatërve të Kosovës, e cila ka funksionuar që nga viti 1993. “Gjatë viteve ‘90-të u shkatërrua me të madhe shëndetësia e Kosovës nga pushteti serb dhe kjo na kishte indinjuar të gjithëve. Gjatë një mbrëmje kujdestarie në spital, dr. Ferid Agani, si një kujdestar i ri, më thotë se do të ishte mirë sikur të themelonim një shoqatë për profesionistët e Shëndetit mendor, në mënyrë që të jemi më të organizuar. Kjo ide m’u duk shumë e qëlluar. Meqë Fakulteti i Mjekësisë në atë kohë organizonte mësimet në një shtëpi private, në po të njëjtin vend u mblodhëm edhe ne. Aty, në rrugën e Dubrovnikut në Prishtinë, më 23 tetor 1993, themeluam Seksionin e Neurologëve dhe Psikiatërve, në kuadër të Shoqatës Mjekësore të Kosovës”, rrëfen Prof. dr. Jusuf Telaku.

Sipas prof. Telakut, i cili ka qenë edhe Kryetar i parë i kësaj shoqate, qëllimi ishte organizimi dhe mobilizimi i profesionistëve të Shëndetit mendor, me qëllim që t’u ndihmohet pacientëve shqiptarë, duke iu kundërvënë pengesave të pushtetit serb, i cili pengonte zhvillimin e institucioneve të shqiptarëve të Kosovës. “E gjithë puna dhe aktivitetet bëheshin në mënyrë vullnetare, madje, edhe në mbledhje, anëtarët e kësaj shoqate vinin me shpenzimet e veta, pasi që vullneti për të punuar ka qenë mjaft i madh. Ne kemi punuar edhe në kuadër të Shoqatës “Nëna Terezë” dhe kemi ofruar dhe organizuar shërbimet neuropsikiatrike nëpër Kosovë para dhe gjatë kohës së luftës”, thotë prof. Telaku.

Përballë vështirësive financiare dhe duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e punës ka qenë vullnetare, shumë synime të SNP-së kanë mbetur pa u realizuar. “Në një takim që pati mbajtur kjo shoqatë më 6 maj 1995, në Prizren, pas disa diskutimeve, dolëm me një rekomandim konkret: të futej në programin shkollor lënda për Drogat dhe të hartoheshin programe parandaluese për këtë dukuri. Pas kësaj, kjo shoqatë ua kishte dërguar të gjitha këto propozime institucionit përgjegjës për arsim në atë kohë, LASH-it”. Megjithëkëtë, për shkak të vështirësive të asaj kohe, e gjithë kjo përpjekje kishte mbetur vetëm në letër.

Asociacioni i Psikiatërve të Kosovës

Pas një aktiviteti dhjetëvjeçar të Seksionit të Neurologëve dhe Psikiatërve të Kosovës, dhe si pasojë e zhvillimeve bashkëkohore, kur u ndanë dega e Neurologjisë dhe e Psikiatrisë, u formua Asociacioni i Psikiatërve të Kosovës. Prof. Telaku ishte kryetar i APK-së për dy mandate. “Aktiviteti ynë i parë, përmes APK-së, ka qenë aprovimi i Planit strategjik për Shëndet mendor në komunitet, në të cilin është punuar për gati dy vite, nën udhëheqje të dr. Ferid Aganit. Për këtë arsye, me ndihmën e OBSH-së kemi ndërtuar tetë qendra të Shëndetit mendor dhe tetë Shtëpi integruese.

“Ne, po ashtu, kemi bërë përpjekje edhe për kthimin e të sëmurëve psikiatrikë shqiptarë, që gjendeshin në spitalin Topanicë të qytetit të Nish-it. Në këtë kontekst, patëm formuar edhe një komision, për të parë nga afër gjendjen e të sëmurëve psikikë atje. Mirëpo, meqë nuk gjetëm përkrahje nga institucionet tona, nuk arritëm ta finalizojmë organizimin e kësaj iniciative”, shprehet prof. Telaku.

Me qëllim të ndihmës reciproke në proceset e reformës në fushën e Shëndetit mendor, prof. Telaku ka qenë edhe personi më i angazhuar në themelimin e Lidhjes së Psikiatrisë Shqiptare, e cila është themeluar në maj të vitit 2004.

Se cili ka qenë ndikimi i APK-së në fushën e Psikiatrisë në Kosovë, ai, ndër të tjera, thotë: “Me themelimin e qendrave të Shëndetit mendor dhe të Shtëpive integruese, ne kemi ndikuar në përmirësimin e shëndetit të të sëmurëve psikiatrikë. Nga ana tjetër, implementimi i Programit të Zhvillimit të Vazhdueshëm Profesional, që zhvillohet përmes APK-së, është një hap i madh drejt ngritjes dhe aftësimit profesional të profesionistëve të Shëndetit mendor në vendin tonë”.

Pas një përvojë pesëmbëdhjetvjeqare me Seksionin e Neurologëve dhe Psikiatërve të Kosovës, pastaj dy mandate si kryetar i APK-së, prof. Telaku jep sugjerime për kryesinë e re të APK-së. “Përballë vështirësive financiare për vazhdimin e funksionalizimit të APK-së, kryesia e re ka mjaft punë. Fjalori terminologjik psikiatriko-psikologjik mbetet për t’u përfunduar. Edhe pse këtë e ka marrë përsipër LPSH, edhe APK duhet të kontribuojë. Sfidë tjetër e APK-së mbetet edhe sensibilizimi i institucioneve tona, si: i Ministrisë së Shëndetësisë, i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për problemin e drogave, që duket se ka gufuar në shoqërinë tonë, sidomos te të rinjtë tanë”. Përveç të tjerash, ai thotë se për të krijuar një shoqëri që do të kishte qasje në shërbime cilësore të Shëndetit mendor, nuk është i mjaftueshëm vetëm angazhimi i profesionistëve, por është e nevojshme edhe angazhimi i institucioneve dhe i gjithë shoqërisë.